ÇIFTI MARTIN

TEATRI KOMBËTAR I KOSOVËS, KOSOVË


7 Nëntor
, 20:00 h, Vendi:
Teatri Kombëtar i Kosovës

Autor: Eugene Ionesco / Regjia: Bekim Lumi / Luajnë: Astrit Kabashi & Gresa Pallaska / Harmonikist: Agon Xharra / Muzika: Agon Xharra & Bekim Lumi / Skenografia: Mentor Berisha / Kostumografia: Samka Ferri / Dizajni i Ndriçimit: Asllan Hyseni / Tonist: Enver Maxhuni / Inspicient: Bajram Mehmetaj

ÇIFTI MARTIN

Shfaqja “Çifti Martin” është një krijim artistik eksperimental i ndërtuar mbi një skenë të vetme (me një tekst prej tri faqesh) të antikomedisë “Këngëtarja tullace” të Eugene Ionesco-s. Zatën, në krejt plotninë e kësaj antikomedie, skena e çiftit Martin mund të lexohet edhe si një dramë më vete. Dialogu ekspresiv i kësaj skene antologjike, i sajuar në formën e një parodie mbi motivin e “rinjohjes” burrë e grua, është një gjedhe e papërsëritshme dramaturgjike, e cila, përmes aventurës triviale të një çifti fiktiv, parodizon konvencionalitetin, falsitetin dhe “shkëlqimin” e marrëdhënieve bukur shpesh të rrejshme bashkëshortore.
Në një marrëdhënie të këtillë, krejt çmendurisht, mplekset jeta e Martinëve të martuar prej shumë vitesh, të cilët, ndonëse banojnë në të njëjtën shtëpi, ndonëse vazhdimisht udhëtojnë me të njëjtin tren, ndonëse flenë bashkë në të njëjtën dhomë dhe bëjnë seks në të njëjtin shtrat dysh të mbuluar me jambuli e, për më tepër, ndonëse kanë edhe një vajzë të vogël dyvjeçare, “nuk njihen”, prandaj,  ashtu si në tragjeditë antike greke apo në baladat popullore Shqipetare të rinjohjes, përmes “shenjave” të ndryshme “rinjihen” vazhdimisht.
Krejt ndryshe nga dramat me intonim klasik dhe konvencional, madje edhe jashtë klisheve dhe uniformitetit me të cilin zakonisht trajtohen tekstet e teatrit absurd, drama e çiftit Martin i jep mundësi të paskajshme, deri në xhonglerim të çmendur, gjenit kreativ aktoresk dhe regjisorial. Jo rastësisht, prandaj, akti krijues i kësaj shfaqjeje vjen në formën e një burleske teatrore me elemente të mjuziklit, në të cilën, varësisht nga situatat e ndryshme, kompozicioni i tablove, nga imazhet poetike dhe vibrimet e lehta komike, përshkallëzohet deri në parodizim dhe karikaturizim grotesk.

Shfaqja “Çifti Martin” nuk është as më shumë e as më pak se veç një përrallë e përbotshme njerëzore, e cila, me ekspresivitetin e saj skenik, emotiv dhe artistik, synon ta rrëmbejë dhe ta fisnikërojë publikun, ta mallëngjejë, ta gëzojë, ta bëjë atë të qeshë dhe, njëkohësisht, të qajë me lotë ironie, pikëllimi, dëshpërimi e gëzimi.

TEATRI KOMBËTAR I KOSOVËS

Teatri Kombëtar i Kosovës (në fillim me emrin Teatri Popullor Rajonal e pastaj Teatri Popullor Krahinor) u themelua në tetor të vitit 1946 në Prizren. Ky ishte institucioni i parë teatror profesionist në Kosovë pas Luftës së Dytë Botërore. Shumë shpejt, disa muaj pas themelimit, ky teatër u transferua në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë. Shfaqjet e para të këtij teatri janë punuar kryesisht nga artistët amatorë, entuziastë e idealistë të talentuar, të ndihmuar nga artistët profesionistë nga hapësirat tjera të ish-Jugosllavisë, ndërkohë që, në vitet ’60, ansambli i tij pasurohet me kuadro të reja profesioniste. Deri në vitin 1989 ky teatër i ka realizuar mbi 400 premiera me rreth 10.000 repriza, të cilat në Kosovë dhe në hapësirat e ndryshme të ish Jugosllavisë janë përcjellë nga mbi 3.200.000 spektatorë. Repertori i këtij teatri është ndërtuar mbi tekstet e shumta të dramaturgjisë kombëtare, botërore dhe ish jugosllave. Shfaqjet e këtij teatri, të cilat janë prezantuar nëpër festivale të ndryshme me krakter kombëtar dhe ndërkombëtar në ish Jugosllavi, janë vlerësuar me tone të larta nga kritika e atëhershme dhe janë nderuar me çmime të ndryshme artistike. Kështu, p.sh., në vitin 1967, shfaqja “Erveheja” e regjisorit Muharrem Qena është nderuar me Çmimin e Regjisë më të Mirë në Festivalin e Dramës Jugosllave “Sterijino Pozorje”. Krahas shfaqjeve në gjuhën Shqipe, në këtë teatër janë realizuar edhe shfaqje në gjuhën serbe. Bukur shpesh, sidomos pas vitit 1981 e këndej, ky teatër ka vepruar nën presion të rëndë politik nga sistemi dhe regjimi komunist jugosllav. Në vitin 1990, regjimi serb i Slobodan Milosheviqit, e ka vënë këtë teatër nën administrim të dhunshëm, duke i dëbuar nga teatri shumë nga artistët Shqiptarë dhe duke vënë kontroll totalitar mbi krijimtarinë artistike të këtij teatri. Gjatë kësaj periudhe, në një sistem shkollor universitar paralel të krijuar në kushtet e rezistencës aktive paqësore kundër regjimit totalitar serb, nëpër shtëpitë – shkolla u krijuan shumë nga kuadrot artistike, të cilat tashmë janë pjesë e ansamblit profesionist të këtij teatri. Në vitin 1999, pas mbarimit të luftës në Kosovë, ky teatër pagëzohet me emrin Teatri Kombëtar i Kosovës. Gjatë 10 viteve të pasluftës, në këtë teatër janë vënë në skenë tekste të shumta të dramaturgjisë kombëtare dhe botërore. Teatri Kombëtar i Kosovës është teatër me karakter shtetëror dhe, si i tillë, financohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
www.teatrikombetar.eu

RAGS OF MEMORY
2 Nëntor

PROJEKT EDEN
3 Nëntor

SKRIP ORKESTRA
4 Nëntor

PERFORMANCE
5 Nëntor

NO SHADOW
5 Nëntor

RASA
6 Nëntor

ÇIFTI MARTIN
7 Nëntor

TAPANI VO NOKTA
8 Nëntor