RAGS OF MEMORY
November 2
Teatri është një nga mediumet artistike më universale. Falë shpirtit të tij të hapur, ai, me shumë komoditet, që në fillet e tij primitive e gjithë deri sot, ka bashkëjetuar dhe bashkëvepruar në harmoni me artet tjera, për të cilat portat e skenës së tij të madhe kanë qenë vazhdimisht të hapura. Nuk është, prandaj, aspak i çuditshëm fakti që një pjesë e konsiderueshme e impulseve dhe e imazheve kreative, në formën e ngacmimit, të ndikimit apo të stimulimit, në teatër vijnë nga mediumet tjera artistike.
Një medium i tillë, bie fjala, është muzika, e cila, me të gjitha derivatet e saj performuese, ka qenë dhe vazhdon të jetë një katalizator i fuqishëm i procesit krijues teatror. Në të vërtetë, amplituda e ndikimit të muzikës mbi teatrin lëviz nga sinjalet me karakter periferik deri tek influenca gati-gati përcaktuese, madje me prirje pikëtakimi dhe identifikimi të këtyre dy mediumeve të fuqishme artistike me njëri tjetrin.
Edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë, i cili sivjet organizohet nën moton “Këndimi, muzika dhe rituali – identifikimi dhe pikëtakimi i teatrit me vetveten” është një pasqyrim i drejtpërdrejtë i marrëdhënies së natyrshme të teatrit me muzikën dhe me ritualin. Konfigurimi i këtillë i këtij edicioni është një mundësi e mirë për krijuesit e teatrit dhe për publikun e gjerë në Kosovë që, përmes përvojës kreative të kompanive teatrore nga vende të ndryshme të botës, të cilat në këtë edicion vijnë me performansat e tyre brenda këtij vizioni konceptues, ta shijojnë, ta absorbojnë dhe, njëkohësisht, ta përjetojnë aktin krijues në kuadër të këtij vizioni dhe të këtij perceptimi.
Natyrisht, organizimi i edicionit të parë të Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë është vazhdimësi e bashkëpunimit ndërkombëtar të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe, njëkohësisht, e përpjekjeve tona të përbashkëta për një prani sa më të madhe të këtij teatri dhe të teatrove tjera kosovare në skenën artistike europiane dhe botërore. Përmes kontaktit të vazhdueshëm me trendet krijuese dhe artistike botërore, teatri ynë do të duhej t’i absorbonte dhe përvetësonte ato standarde dhe vlera kreative, të cilat, në paraqitjet e ndryshme me karakter ndërkombëtar, në matjen e tij me të tjerët, larg çdo inferioriteti dhe meskiniteti provincial, do ta bënin atë një konkurrent të dinjitetshëm dhe një reprezentues të fuqishëm kontemporan të ngjyrave artistike e kulturore të vendit tonë.
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë më tutje Teatrin Kombëtar të Kosovës në përpjekjet e tij për krijimin e një imazhi bashkëkohor sa më të qëndrueshëm. Mbështetja për organizimin e këtij festivali është pjesë e politikave kulturore dhe e angazhimit të vazhdueshëm e serioz të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në funksion të shndërrimit të institucionit të Teatrit Kombëtar të Kosovës në një medium artistik të vlerave dhe të standardeve profesionale ndërkombëtare.
Valton Beqiri,
Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit
RAGS OF MEMORY
November 2
PROJEKT EDEN
November 3
SKRIP ORKESTRA
November 4
PERFORMANCE
November 5
NO SHADOW
November 5
RASA
November 6
ÇIFTI MARTIN
November 7
TAPANI VO NOKTA
November 8