RAGS OF MEMORY
2 Nëntor
Këndimi, muzika dhe rituali – identifikimi dhe pikëtakimi i teatrit me vetveten.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrit në Kosovë, edicioni i parë i të cilit prej 2 – 8 nëntor 2009 do të mbahet në Prishtinë (Kosovë), është një festival i cili organizohet nga Teatri Kombëtar i Kosovës. Ky festival mbahet nën patronatin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës.
Edicioni i parë i këtij festivali është konceptuar si një paraqitje e shfaqjeve teatrore, të cilat, para së gjithash, janë krijuar duke u bazuar në artin e këndimit dhe, përgjithësisht, në elementet dhe në format e ndryshme muzikore, të cilat regjisorëve dhe krijuesve të teatrit u kanë shërbyer si lajtmotiv dhe, njëkohësisht, si ngacmim artistik për krijimin e imazheve skenike dhe të veprimit skenik.
Parë nga ky këndvështrim, përvoja krijuese e teatrove të ndryshme, të cilat me shfaqjet e tyre do të jenë pjesë e këtij festivali, rikonfirmon aftësinë e përhershme regjeneruese dhe eksploruese të teatrit, i cili, si një medium artistik i mundësive dhe formave të shumëfishta, kësaj here gjen pikëtakime dhe mbështetje për rikonfigurimin e tij estetik tek këndimi dhe, përgjithësisht, tek muzika.
Një nënshtresë tjetër, poaq e vlefshme sa edhe muzika, në disa nga shfaqjet e këtij edicioni është dimensioni ritualesk, të cilin krijuesit e tyre e kanë përvetësuar dhe përshtatur kreativisht duke u mbështetur në traditën ritualeske të kohëve, të vendeve dhe të kombeve të ndryshme. Këngët e vjetra dhe ritet e traditës popullore kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një burim i pashterrshëm, në të cilin teatri, si një medium me rrënjë e farë në lashtësitë primitive, e shuan etjen, kurreshtjen dhe nevojën e tij të përhershme për eksplorim dhe identifikim me shenjat e një tradite, nga e cila, jo rastësisht, i ka trashëguar shumë nga imazhet, reflekset, hieroglifet dhe nojmat e identitetit të tij.
Rrjedhimisht, i konfiguruar mbi këngën, muzikën dhe ritualin, edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit në Kosovë vjen me pretendimin për të qenë një paraqitje dhe një përvojë e re kreative në observimet, në gjurmimet dhe në përpjekjet e gjithanshme të krejt procesit krijues skenik, i cili, duke mos i përfillur klishetë dhe uniformitetin, nga kontakti dhe marrëdhënia e natyrshme e teatrit me artet dhe mediumet tjera, e dëshmon fuqinë, energjinë, elegancën, elasticitetin dhe shkathtësinë e tij për ta regjeneruar vetveten. Në të vërtetë, kënga, muzika dhe rituali janë identifikimi dhe pikëtakimi i teatrit me vetveten.RAGS OF MEMORY
2 Nëntor
PROJEKT EDEN
3 Nëntor
SKRIP ORKESTRA
4 Nëntor
PERFORMANCE
5 Nëntor
NO SHADOW
5 Nëntor
RASA
6 Nëntor
ÇIFTI MARTIN
7 Nëntor
TAPANI VO NOKTA
8 Nëntor